Një grua e fortë afër qindra mijëra konsumatorëve
Dita e saj gjithmonë nis me shumë takime. E gjithë kjo që konsumatorëve t’u ofrohet kujdesi i merituar në raport me shërbimet që KESCO ofron. Rudina Heroi – Puka, Drejtoreshë e Departamentit për Shërbime me Konsumatorë, Tarifa dhe Çështje Rregullative, pikë të dobët i ka shifrat, kurse pikë të fortë e ka komunikimin efektiv, mendimin largpamës, mirësinë, dhe pozitivitetin që asnjëherë nuk e lë anash.
E diplomuar për Ndërmarrësi në Slloveni dhe Master në Menaxhment, Rudina ishte anëtare dhe udhëheqës e projekteve të ndryshme në kuadër të SIFE (Students In Free Enterprise) dega e Gea College në Slloveni dhe pjesëmarrëse në Garat Ndërkombëtare të SIFE si përfaqësuese e Sllovenisë.
Rudina ka një ekspertizë të jashtëzakonshme edhe në çështjet tarifore, çka qartë e pozicionon atë në detyrën aktuale. Puna e saj në shërbim ndaj konsumatorit nuk është vetëm përgjegjësi kontraktuale, për më tepër është edhe morale, sidomos kur përpara ke afër 700 mijë konsumatorë.
“Te qenët e para në këtë departament nënkupton një qasje të përqendruar tek njeriu, qoftë ky konsumatori, punëtori ose partneri ynë i jashtëm”.
Ajo ndërton besim dhe i motivon punëtorët, duke i kuptuar saktë kapacitetet e gjithsecilit, të cilat shfrytëzohen maksimalisht në të mirën e përbashkët.
Qasja e saj përherë pozitive ndaj konsumatorëve dhe punonjësve të departamentit që ajo udhëheq, ka krijuar ambient pozitiv pune, sepse kur gjithsecili shfrytëzon aftësitë e veta unike, është e pamundur mos krijimi i një qasjeje holistike për zgjidhjen e të gjitha kërkesave në kuadër të rregullimeve ligjore.
“Gërshetimi i departamentit, si i tillë, është sa sfidues po aq edhe përmbushës”.
Rudinën e përmbush puna, pavarësisht sfidave që mund t’i dalin para vetes. Si grua, ajo është e përkushtuar edhe në fuqizimin e rolit të saj në kompani, bashkë me të edhe në shoqëri.
Nënshkrimin e 7 Parimeve të UN Women për fuqizimin e grave në kompani ajo e cilëson si një nga hapat që kompania ka ndërmarrë në fuqizimin e rolit të gruas në shoqëri dhe kompani.
“Duke qenë vetë grua, roli im është shume i rëndësishëm jo vetëm në udhëheqjen e departamentit, por në promovimin e rolit të një gruaje të fuqishme në kompani dhe në shoqëri”.
Kjo ka qenë edhe arsyeja që është bashkëthemeluese e iniciativës WEM (Women in Energy and Mining), përmes se cilës gratë e suksesshme në sektorin e energjisë promovojnë dhe fuqizojnë poziten e gruas në sektorin e energjisë.
Nga viti 2013 kur ka filluar punën në sektorin e energjisë, Rudina tregon me plot vullnet projektet që janë implementuar në të mirën e konsumatorëve: aplikacioni eKESCO, chatbot apo asistenti virtual, digjitalizimi i shumë shërbimeve, Qendra e Thirrjeve, e cila punon 24\7 me standarde të larta, menaxhimi i përkujdesit në secilin distrikt dhe së fundi edhe hapja e sportelit të dedikuar për konsumatorët komercialë.
Për të arritja e qëllimeve do të ishte zor e realizueshme sikur rreth saj të mos kishte njerëz entuziastë që konsumatorin e kanë qëllim dhe komunikimin mjet.
“E pranoj se motivimi dhe energjia e jashtëzakonshme janë thelbësore për të arritur qëllimet. Pa harruar asnjëherë ekipin tim, sepse përkushtimi, pasioni dhe puna e palodhur e kolegëve të mi është kujtesë e vazhdueshme pse ne e bëjmë atë që bëjmë”.
Rudina është e angazhuar edhe në tarifa tashmë e një dekadë, duke qenë pjesë e shumë ngjarjeve të rëndësishme në sektorin e energjisë.
Si e para e këtij departamenti, Rudina, me kujdes të veçantë dhe vëmendje të shtuar lidhur me zhvillimet e fundit rregullative, gjithnjë sigurohet që kompania të jetë në përputhje me të gjitha rregulloret përkatëse.
“Çdo hap i vogël që ne bëjmë drejt qëllimeve tona të përbashkëta kontribuon në suksese më të mëdha. Le të vazhdojmë të mbështesim njëri-tjetrin, të mësojmë nga njëri-tjetri dhe të rritemi së bashku”.