
Kërkesa për pasivizim/mbyllje të llogarisë
Nëse një shtëpi apo çfarëdo objekti nuk ka më nevojë për furnizim me energji elektrike, është e rëndësishme që të bëni kërkesë për mbyllje të asaj llogarie, me ç’rast do të largohet njehsori dhe do të ndalet faturimi për atë llogari përkatëse.
Ta zëmë e keni pasur të hapur një lokal, dhe tani keni vendosur ta mbyllni, e meqë nuk keni më nevojë për energji elektrike, atëherë ju duhet të bëni kërkesë për mbyllje të llogarisë në KESCO.
Kërkesa për mbyllje të llogarisë mund të bëhet edhe kur: Në një objekt nuk jeton më askush dhe ju nuk dëshironi të faturoheni për energji elektrike muaj për muaj; një objekt është duke u rrënuar dhe ju kërkoni që ai njehsor të hiqet përgjithmonë nga vendi ku gjendet, etj.
Për të bërë këtë kërkesë ju duhet të vini në sportelet e KESCO-s, në qytetin tuaj. Ndërsa hapat që duhet ndjekur për realizimin e kësaj kërkese janë:
1. Me vete duhet ta keni një dokument identifikues dhe autorizimin noterial nëse aplikoni për dikë tjetër.
Është e rëndësishme që personi në emrin e të cilit gjendet llogaria për të cilën kërkohet të bëhet pasivizimi, të vijë dhe të bëjë kërkesën personalisht ose të ketë autorizimin noterial.
2. Merrni me vete fletëpagesën që dëshmon pagesën e borxhit në tërësi.
Kjo sepse një llogari mund të pasivizohet vetëm atëherë kur borxhi i asaj llogarie është zero.
3. Plotësoni formën e kërkesës që e merrni në sportelet tona dhe e dorëzoni atë të plotësuar.
Gjatë plotësimit të formës është e nevojshme t’i shtoni të dhënat përkatëse duke përfshirë: Të dhënat personale, si dhe shifrën përkatëse të llogarisë tuaj.
Disa rregulla të rëndësishme për kërkesat për mbyllje të llogarisë, janë:
- Gjatë shkyçjes dhe heqjes së njehsorit nga vendi i ngjarjes, konsumatori duhet të jetë i pranishëm.
- Po ashtu, është e rëndësishme ta dini se njehsori që hiqet nga ai vendbanim, dërgohet në laborator të kalibrimit apo testimit konform procedurave në fuqi.
- Në rast se ka kW/h të grumbulluar dhe të pafaturuar sipas rezultateve të testimit nga qendra e kalibrimit, konsumatori është përgjegjës për përmbushjen e të gjitha detyrimeve financiare dhe ligjore rreth pikës matëse/njehsorit në fjalë.
Vini re, se në momentin kur konsumatori nuk e bën kërkesën për pasivizim apo mbyllje të llogarisë në KESCO, ajo llogari konsiderohet rrjedhëse dhe për këtë arsye faturohet tarifë fikse në fund të çdo muaji.
Po ashtu është e rëndësishme ta dini që nëse një llogari ka qëndruar e mbyllur apo e pasivizuar, për jo më gjatë se 24 muaj, të njëjtën mund ta ri-aktivizoni duke bërë kërkesën për aktivizim në KESCO.
Po ashtu mbani mend që mbyllja e llogarisë është masë më e përhershme, kështu që ju lusim të siguroheni që energjia elektrike nuk nevojitet përfundimisht në atë objekt për të cilin bëhet kërkesa për pasivizim.