Faturat e konsumatorëve - 'një' me ngjyrën simbolike të Muajit Rozë
Këtë muaj faturën e rrymës do ta pranoni me një ngjyrë tjetër nga ç'jeni mësuar zakonisht.
KESCO ka vendosur të shtypë fatura rozë për të gjithë konsumatorët, në shenjë të kauzës të ndërgjegjësimit ndaj kancerit të gjirit, që po shënohet gjatë muajit tetor në të gjithë botën.
Simboli kryesor i kampanjës së KESCO dhe KEDS kushtuar kësaj kauze, tashmë është vendosur si slogan në fatura dhe ka për qëllim që të nxisë sa më shumë gra për veprim e përkujdesje ndaj vetes.
Ky simbol është insipiruar nga legjenda e lashtë e Rozafatit, duke gjetur kuptim në vet emrin e personazhit dhe luftën e saj për të mbetur në jetë.
Porosia jonë përmes kësaj kampanje ka të bëjë me ngritjen e vetëdijes për rrezikun e sëmundjes dhe afatin (kohën) e shkurtër brenda të cilës ne (sidomos gratë) duhet të veprojmë. Por pjesë e kampanjës natyrisht është edhe solidarizimi me gratë veçse të prekura me këtë sëmundje.
Për ta shënuar këtë kauzë, kompania fillimisht është përkujdesur që nëpërmjet njoftimeve t’i bëjë thirrje punonjësve gra që të kujdesen për shëndetin e tyre, t’i bëjnë kontrollet e nevojshme sistematike duke e shfrytëzuar sigurimin shëndetësor që ua ofron kompania.
Ndërkohë kemi përkrahur edhe gratë e prekura me kancer të gjirit në Kosovë, përmes donacioneve dhe mbështetjeve materiale ose me pajisje për organizatat dhe spitalet që bëjnë shpërndarjen e këtyre donacioneve në vendet adekuate.
Për ta shënuar edhe më tutje këtë ditë, punonjësit e kompanisë me udhëheqjen e Kryeshefit Ekzekutiv, z. Alpin DOGAN, nesër më 14 tetor do të jenë pjesëmarrës aktiv në manifestimin tradicional informativ-kulturor me moton “ZBULIMI I HERSHËM - MBIJETESË.”
Ky manifestim si çdo vit organizohet nën patronatin e Presidentes së Republikës së Kosovës, Znj. Vjosa Osmani-Sadriu, së bashku me Qendrën Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit “JETA/VITA.”