Si të kurseni energji elektrike gjatë përdorimit të bojlerit?
Varësisht nga madhësia, lloji i bojlerit, anëtarët e familjes, si dhe kohën që qëndron i ndezur bojleri, sipas një mesatareje që kanë nxjerrë ekspertët e KEDS, duke analizuar përdorimin e energjisë elektrike, bojleri në shtëpitë tonë shpenzon diku prej 30 deri në 50 % të faturës mujore gjatë sezonit të verës, dhe 40 deri në 60% gjatë stinës së dimrit, kuptohet jo në rastet kur edhe ngrohja qendrore është me energji elektrike.
Për shembull, për një familje çift me dy fëmijë, do të thotë diku 20 euro gjatë stinës së verës dhe 25 euro gjatë dimrit.
Për kursim të energjisë elektrike, por edhe të xhepit tuaj, ekspertët tanë rekomandojnë ta lini bojlerin të ndezur gjatë natës kur është tarifa e ulët, ndërsa gjatë ditës ta lëshoni vetëm sipas nevojës.
Mund të mos e besoni, por nëse prej fillimit të muajit tjetër e zbatoni këtë praktikë për një muaj rresht, mund të vëreni ndryshimin e menjëhershëm në çmimin e faturës suaj të ardhshme.