
Kurseje energjinë - Lehtëso barrën e kuletës dhe të rrjetit elektrik
Kosova si dhe shtetet tjera në botë janë rrethuar nga një situatë e papritur dhe aspak e favorshme energjetike.
Analizat dhe statistikat tregojnë një rritje të vazhdueshme te konsumit të energjisë elektrike në krahasim me vitet e kaluara, meqë rast kursimi i energjisë elektrike nga secili prej nesh po bëhet më se i nevojshëm.
Vetëm në ditët e para të nëntorit, konsumi i energjisë elektrike është rritur në nivele të larta në Kosovë, mbi 21 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Kjo rritje kryesisht po ndodh për shkak të rritjes së përdorimit të pajisjeve elektrike për ngrohje dhe ventilim, ku kërkesa për energji elektrike rritet shumë sidomos nga konsumatorët shtëpiak gjatë sezonës së dimrit, kur edhe bien temperaturat.
Nëse marrim parasysh se konsumatorët shtëpiak apo kategoria e amvisërisë e përbën shumën më të madhe të strukturës së konsumit, atëherë ky ndikim qon mjaft shumë peshë, duke marrë parasysh që kjo kategori e përdor energjinë elektrike për ngrohje në masë të madhe.
Ky konsum i energjisë elektrike për ngrohje po e rëndon shumë sistemin elektro-energjetik, përderisa në vendet e zhvilluara energjia elektrike shfrytëzohet shumë më pak për këtë qëllim. Sipas një statistike më të fundit, gazi natyror është burimi kryesor i energjisë për ngrohje të konsumatorëve shtëpiak në shumicën e shteteve të Evropës, kurse në Kosovë vazhdojnë të mos përdoren alternativa tjera për ngrohje.
Andaj, derisa të gjinden zgjidhje afatgjate për problematikën e ngrohjes në vendin tonë, kursimi i energjisë elektrike do të lehtësonte shumë barra, duke filluar nga sistemi elektroenergjetik i Kosovës që i ekspozohet çmimeve të larta të importit në këto kohë, e deri te konsumatori në faturat e të cilëve, mund të reflektojnë këto çmime në të ardhmen.
Disa nga këshillat për t’u aplikuar në praktikë për kursim sa më të madh të energjisë elektrike janë ngrohja e matur me energji elektrike, ndalja e pajisjeve që nuk i përdorim, shtyerja e përdorimit të pajisjeve elektrike pas orës 22:00, kur konsumi dhe kërkesa për energji elektrike është më e ulët, etj.
Mos harroni që kursimi i energjisë elektrike ka shumë benefite jo vetëm për kuletën tënde por edhe për të mirën e përbashkët, për lehtësimin e ngarkesës së sistemit elektro-energjetik si dhe njëkohsisht për uljen e kërkesës së importit, andaj fillo nga sot të kursesh energji!